Koncerti “Romancat shqiptare” solli për publikun krijimet më të bukura, të disa prej autorëve të njohur shqiptarë. Në sallën e Muzeut Historik Kombëtar për publikun ato u interpretuan nga sopranoja Shpresa Beka dhe baritoni Ylber Gjini, në piano Lindita Kotorrri. Koncerti përmbante krijime nga kompozitorët Tonin Harapi, Preng Jakova, Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Tish Daija, Vangjush Nova, Limoz Dizdari, Rexhep Hasimi dhe Pirro Çako. Në program pjesa kryesore e koncertit ishte me veprat e autorëve shqiptarë, por nuk munguan dhe duete nga sopranoja e njohur Shpresa Beka dhe baritoni Ylber Gjini, me pjesë muzikore të huaja për publikun. Koncerti “Romancat shqiptare ” u hap me “Moj e bukura në krua” shkruar nga autori Vangjush Nova interpretuar nga sopranoja Shpresa Beka dhe në piano Lindita Kotorri. Prenk Jakova nga opera “Skënderbeu”, arie e Juda Makabe “O kob i zi” u interpretua nga baritoni Ylber Gjini, për të vijuar dhe më të tjera pjesë muzikore në koncert. “Romancat shqiptare” vijoi me autorin Tonin Harapi romancë “Djaloshare”, Prenk Jakova nga opera “Skënderbeu” arie e Gjon Flamura “Valët e Drinit plak”, Limos Dizdari me “Vjeshta”, Çesk Zadeja “Hej ju male”, Rexhep Hasimi “Ishte dashuria romancë”, Pirro Çako “Nostalgji”, Feim Ibrahimi “Në vjeshtë romancë”, Tish Daija “N’mes dashurive”. Pjesa e dytë e koncertit vijoi me autorin Eduardo Curtis romancë “Non ti Scordar Di Me”, Roberto Falvo “Dicitencello vuie”, Pietro Mascagni nga opera “Cavalleria Rusticana” etj, që u interpretuan në duet nga sopranoja Shpresa Beka dhe baritoni Ylber Gjini. Para koncertit sopranoja e njohur Shpresa Beka u shpreh se gjinia e romancës kur sillet bukur kënaq publikun. “Për mua është hera e parë, që unë vij në skenë në këtë lloj interpretimi dhe këtë lloj gjinie. Gjithmonë në programin tim apo koncerte të tjera nuk ka munguar romanca, pjesët shqiptare, ariet shqiptare, por jo të sjella në bllok. Ne jemi munduar, dhe aty janë zgjedhur romanca vërtetë të bukura. Përveçse janë romanca të autorëve shqiptarë dhe besoj se do të shijohen shumë nga publiku, vetë gjinia e romancës të kënaq nëse ajo sillet e interpretuar ashtu si duhet”, u shpreh sopranoja e njohur Shpresa Beka, që mori duartrokitjet e publikut.

Romancat në arkiv

Teatri i Operës dhe Baletit solli këtë koncert që përmbante pjesë muzikore shkruar nga autorë të njohur shqiptarë, por shprehet se një pjesë nga këto romanca janë të shkruara vite më parë, që në Dekadat e Majit. “TOB angazhohet të risjell nën dritën e duhur disa nga autorët shqiptarë. Romancat, një zhanër i freskët i cili sjell meloditë tek publiku sikur të ishte një festival i muzikës së lehtë, për sa i përket lehtësisë për tu perceptuar. Shumë prej tyre janë punë të bëra për Dekadat e Majit dhe nuk ka pasur mundësinë ndër vite të interpretoheshin nga artistët, duke i parë edhe pak me syrin e asaj epoke, kur kompozitorët tanë shkruanin mbi një ideologji dhe më shumë se nga dashuria nga frika, që ajo vepër mos ishte guri i rastit për të goditur”, bën me dije Teatri i Operës dhe Baletit. Koncerti “Romanca shqiptare” me veprat e autorëve të njohur shqiptarë u sollën nga dy artistë të vlerësuar nga publiku. Ky koncert vjen në vijim të sezonit artistik të TOB, ku institucioni shprehet se në arkiv janë mbi 100 romanca. “Pranë bibliotekës sonë janë plot 3 dosje me mbi 100 romanca, të cilat dalëngadalë do të vijnë në ciklin e “Romancave shqiptare” nën interpretimin e artistëve të ndryshëm të TKOB”, vijon institucioni. Kjo lloj gjinie vokale instrumentale bën pjesë në grupin elitar të muzikës së dhomës dhe njëkohësisht krijon mundësi komunikimi të lehta në shtrirje qytete të ndryshme për shkak të formatit të thjeshtë solist-shoqërues.

https://sot.com.al/kultura/romancat-shqiptare-me-zerin-e-sopranos-shpresa-beka-dhe-baritonit-ylber-gjini