Drejtorja e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Znj. Zana Çela priti sot në zyrat e TKOBAP, ambasadorin e Kroacisë në Tiranë, Z. Zlatko Kramaric. Qëllimi i takimit ishte forcimi? i bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve përmes artit dhe kulturës. Një bashkëpunimi i nisur kohë më parë, në Mars, të këtij viti me nënshkrimin✍️ e protokollit të bashkëpunimit me Teatrin Nacional të Kroacisë në Zagreb. Znj. Çela i ritheksoi Z.Kramaric angazhimin për të bashkëpunuar me “Teatrin e Zagrebit” në funksion të rritjes së nivelit artistik, me objektivin kryesor për të realizuar bashkëprodhime, shfaqje me artistë shqiptarë dhe kroatë, vitin e ardhshëm. Tashmë bashkëpunimet artistike kanë nisur tha znj. Çela, siç është koncerti simfonik, “Bridges of Culture” që mbahet më 4 Tetor në “Katedralen Orthodhokse”, me kompozime nga autorë shqiptarë dhe kroatë. Nga ana e tij, ambasadori i Kroacisë, u angazhua në përparimin e mëtejshëm të protokollit të bashkëpunimit mes dy teatrove, duke theksuar se shpesh here politikat kulturore ndërtojnë ura më të forta se ato politike. Z. Kamaric u shpreh mbështetës për realizimin e bashkëprodhimeve dhe në shkëmbimin e artistëve, madje do t’ja referojë këtë, tha ai, edhe Ministrisë Kroate të Kulturës. Në mbyllje të takimit, Drejtorja e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Znj. Zana Çela e njohu Z. Kamaric edhe me punimet për rikonstruksionin e “Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit”, i pari i kryer në historinë e tij dhe që së shpejti artistët e TKOBAP do të zhvillojnë aktivitetin e tyre artistik në një teatër që i përmbush të gjitha kushtet.