Teatri i Operës dhe Baletit mbyll sezonin artistik me një trio shfaqjesh. “Opera në park” sjell për publikun një format të veçantë nga artistët e tre trupave artistike. Këtë herë shfaqjet do të jenë jo në skenë të mbyllur, por në park. Mbrëmja e sotme do të sjellë koncertin “Kur perëndon dielli”, nata e dytë është me artistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe nata e tretë në datën 20 korrik do të sjelli për publikun baletin “Fado”. Drejtoresha e TOB Zana Çela shprehet se opera në park ka si qëllim dhe afrimin e operës aty ku ndodhet publiku. “Skena jonë dhe artistët e TKOBAP mirëpresin qytetarët e Tiranës ose jo, turistët e huaj dhe vendas, që do të jenë në Tiranë në këto data, në opera në park. Një koncept tepër origjinal i afrimit të operas aty, ku ndodhet publiku, sikurse bëjnë të gjithë teatrot ndërkombëtar në sezonet verore” pohon drejtoresha Çela. Kjo triologji shfaqjesh në mbrëmjet e datave 18,19 dhe 20 korrik në orën 21:00 është për publikun në lulishten e madhe pas monumentit “Skënderbej”. Sipas drejtoreshës së TOB Zana Çela, formatet janë përzgjedhur për tu performuar në një park shumë të dashur për qytetarët e Tiranës. “Parkun ku historikisht kanë bërë fotot më të bukura familjare, e ndaj kanë shumë nostalgji për këtë zone, e cila ruan kujtimet familjare. Ndaj dhe në këto tre net ne i ofrojmë qytetarëve të Tiranës, por edhe turistëve emocione nostalgjike, pikërisht në buzëmbrëmje kur perëndon dielli”, vijon drejtoresha e TOB. Gjatë sezonit artistik Teatri i Operës dhe Baletit ka realizuar 293 shfaqje. Por në mbyllje të sezonit artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor në takimin me gazetarët e kulturës, drejtoresha Zana Çela u shpreh optimiste për mbarimin e punimeve në teatër në janarin e vitit, që vjen. “Jam shumë optimiste, që sezonin e 2020-s do ta startojmë në teatrin e ri” tha në fjalën e saj drejtoresha e TOB.

Shfaqjet për publikun

Koncerti “Kur perëndon dielli” vjen sonte për publikun me këngë qytetare të përpunuara dhe të tjera, që për nga popullariteti i madh duket se po i kalojnë “fondit popullor” e po e humbasin autorësinë, të interpretuar nga orkestra e harqeve, kori dhe solistët lirikë të operas si: Eva Golemi, Armaldo Kllogjeri, Denis Skura, Xhieldo Hyseni, Nina Muho, Sokol Tomorri. Sipas drejtoreshës së TOB Zana Çela, në këtë koncert janë këngët më të bukura shqiptare të kompozitorëve tanë si Prenkë Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, Gjon Simoni, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Agim Krajka, Mikel Koliqi. Këngët më të bukura shqiptare si “Kur më vjen burri nga stani”, “Kur perëndon dielli”, “Margjelo”, “Për ty atdhe”, “Këngët e rinisë” etje, do të interpretohen sonte në koncertin që nis në orën 21:00, në një program i cili zgjat afro 65 minuta. Nesër në mbrëmje skena i përket Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve, me koncertin që ka në program këngët më të bukura popullore nga e gjithë Shqipëria. Kjo trilogji eventesh përmbyllet me trupën e baletit, e cila në datën 20 korrik në orën 21:00 po në të njëjtën skenë do të shfaqë baletin “Fado”, një patentë suksesi e koreografit me famë botërore, Daniel Cardoso. Një shfaqje me një muzikë të ritmeve portugeze dhe me një koncept tepër modern. Për institucionin këto tre koncerte janë një dhuratë në shenjë mirënjohje për qytetarët e Tiranës, që i ndjekur kudo ku artistët kanë perfomuar.

https://sot.com.al/kultura/tob-mbyll-sezonin-artistik-me-opera-ne-park-koncerte-dhe-shfaqje-baleti-publikun