Teatri “Migjeni” në Shkodër ishte i mbushur si asnjëherë tjetër. Perlat e maestro Agim Krajkës kompozuar për mbi 50 vite, tashmë janë hite për gjenerata të tëra.

Një koncert madhështor i titulluar “Të gjithë e duan Agim Krajkën”. Një bashkëpunim mes Teatrit të Operas dhe Baletit, Asamblit të Këngëve dhe Valleve dhe teatrit “Migjeni”.

Për më shumë se dy orë, ky bashkpunim solli Agim Krajkën edhe një herë në skenë. Vetë kompozitori nuk harron të vlerësojë ata të cilët i mësuan muzikën, Çesk Zadenë apo Prenk Jakova.

“Ka qenë dhe mbetet djep i qytetërimit shqiptar. Të marrësh personalitetet e mëdha që kanë nxjerrë p[ër muzikën, duke fillu me Çesk Zadenë dhe të tjerë gjigandë që i kanë dhënë dhe jam i sigurtë se do t’i japin prapë. Është një qytet i atillë që e ka mbajtur gjallë kulturën shqiptare dhe do ta mbajë gjallë”, tha Agim Krajka.

Por ai ka edhe një mesazh mbi talentet e reja. U kërkon të shkollohen.

“Artistët e rinj sot e kanë kthyer profilin e krijimtarisë për arsye se së pari gjysma e artistëve të rinj janë të pashkolluar. Pra nuk mund të bësh një roman kur nuk njeh alfabetin”, tha Krajka.

Këngë të muzikës së lehtë, popullore, muzike klasike si dhe valle të ndryshme u ekzekutuan në skenën e teatrit ” Migjeni” kompozime këto të maestro Agim Krajka.