Krijimtaria muzikore e kompozitorit Agim Krajka vjen për publikun në dy mbrëmje te “arTurbina”. Ngjiten në një skenë trupa e Ansamblit Popullor, artistët e muzikës së lehtë, dhe trupa me artistët e TOB. Plot 140 artistë do të dhurojnë një performancë me veprat më të bukura të mjeshtrit Agim Krajka. Koncertet do të zhvillohen mbrëmjen e datës 7 dhe 8 dhjetor dhe prej disa ditësh artistët po përgatiten për të sjellë në skenë perlat muzikore të Agim Krajkës “Mjeshtër i Madh”. TOB bën me dije se do të jenë dy mbrëmje të paharruara. “Grand gala “Të gjithë e duan Agim Krajkën”, me krijimtarinë më të bukur të Mjeshtrit të Madh. Të gjithë e duan Agim Krajkën, sepse ai kompozoi për të gjithë shkroi këngë, muzikë filmash, vepra instrumentale dhe për orkestër. Ai i shkroi gjyshes, por dhe rinisë e prandaj brezat unifikohen në pentagramet e tij. orkestra e TOB, Ansambli Popullor, bandi Jazz dhe këngëtarë të njohur, të gjithë për të interpretuar repertorin e mjeshtrit të madh”, shkruan teatri. Me një aktivitet prej dekadash dhe me vlerësime, kompozitori Agim Krajka shprehet se ndjehet i befasuar për çfarë po bëhet për të risjellë në skenë krijimtarinë e tij. Kompozitori kujton se ishte kënga “Lemza” e para në skenën e Festivalit të RTSH e kompozuar prej tij. “Kënga ime e parë në festival është ajo e vitit 1961 me titull “Lemza”. Kënga e dytë “Djaloshi dhe shiu”, por më pas vjen dhe “Kënga e Gjyshes” dhe vijon krijimtaria ndër vite. Por kam shkruar dhe muzikën e shtatë filmave artistikë, si dhe me ansamblin kam punuar për vite me radhë. Jam i befasuar nga kjo gjë që po bëjnë për mua. I falenderoj për këtë që po bëjnë për krijimtarinë time”, shprehet kompozitori Agim Krajka. Dirigjenti Edmond Doko tregon se në dy net gjithçka do të jetë në skenë live për publikun me artistët që do të interpretojnë krijimtarinë muzikore të mjeshtrit të madh Agim Krajka. “I njëjti koncert por në dy net, dhe live para publikut. Do të ketë pjesëmarrëse edhe këngëtare si Irma Libohova, Juliana Pasha, etj”, tregon dirigjenti Doko.

Aktiviteti ndër vite

Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij ishte i pasionuar pas muzikës, dhe si amator luante në disa instrumente muzikore, si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë i ati. Fizarmonika u bë shkak që vajti në Shtëpinë e Pionierit, ku filloi të merrej seriozisht me të. Në vitin 1963 Agimi fillon studimet për teori e kompozicion. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1964 kalon pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë dhe përfshin një periudhë prej tri dekadash. Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pas viteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova.