Pas një suksesi të paharrueshëm në Tiranë, ku mbi 170 artistë u bënë një trup i vetëm në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, “Petite Messe Solennelle” e Gioachino Rossini-t vazhdon udhëtimin e saj drejt Prishtinës.
Një vepër e rrallë, e mbushur me dritë shpirtërore dhe thellësi emocionale, e cila për herë të parë u jetësua në teatër, përmes një bashkëpunimi të veçantë mes TKOBAP-së dhe Korit të Filharmonisë së Kosovës.
Në këtë mbrëmje premiere, qindra artdashës u bashkuan në heshtje, emocion dhe duartrokitje të gjata, duke ndarë një përjetim të rrallë muzikor, aty ku zërat, lutja dhe meloditë e Rossinit u bënë një.
Një natë që nuk ishte thjesht koncert, por një takim i shpirtit me muzikën, të cilin do të keni mundësinë ta përjetoni në Prishtinë me 30 janar, si vazhdë e këtij bashkëpunimi kaq të suksesshëm.