koncerti__1

Pas nje turneu shumë të suksesshëm (në vitin 2015), në Çeki, Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë,  Teatri i Operës dhe Baletit,  në bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar “Pianodrom”,  rikthen Duon Bledar Zajmi (Violonçel – Spalë e orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës së Pragës) dhe Etrita Ibrahimi (Piano – Koncertmaestër në Teatrin e Operës së Tiranës), me një koncert tjetër të pasur me vepra botërore nga repertori më i mirë i muzikës së dhomës.

Në pjesën e parë të programit do të kemi veprat e kompozitorëve çekë post-romantikë:

Josef Suk (1874-1935) – Ballada  dhe Serenada  op. 3 për violonçel dhe piano, të kompozuara në vitin 1890, në periudhën kur muzika e tij ishte akoma nën influencën e A. Dvořák. J. Suk konsiderohet si një nga kompozitorët që udhëhoqën muzikën çeke drejt modernizmit.

Josef B. Foerster (1859-1951) – Sonata  N. 2   Op. 130 për violonçel dhe piano, vepër e kompozuar në vitin 1926. Muzika e tij konsiderohet shume subjektive, personale, mistike dhe idealiste.

Antonín Dvořák (1841-1904) – Valle sllave Nr. 8  op. 46/8 dhe Valle sllave Nr. 3 op. 46/3, të shkruara në 1878 fillimisht për piano me katër duar, janë valle me karkater shumë të fortë kombëtar për kompozimin e së cilave A. Dvořák u frymëzua nga Vallet Hungereze te J. Brahms-it, mik i madh i tij. Ato u orkestruan menjëherë pas versionit për piano me katër duar nga vetë autori, me kerkesë të botuesit të tij, Simrock dhe janë ndër pjesët më të famshme të kompozitorit.

Ndërsa në pjesën e dytë do të mund të dëgjoni një nga majat më të rëndësishme të muzikës së dhomës për violonçel dhe piano, siç është Sonata  N. 1  Op. 38 për piano dhe violonçel e Johannes  Brahms-it (1833-1897), e cila u kompozua në vitet 1862 – 1865 dhe i përket Brahmsit më origjinal dhe të vërtetë, të pasur me mendime romantike, meditative dhe rapsodike, që janë në linjë me mundësitë ekspresive të të dy instrumenteve, të cilët janë trajtuar në mënyrë absolutisht të barabartë nga kompozitori.

Ju mirëpresim në Hollin e TKOBAP , datë 1 nëntor ora 19.00 , hyrja e lirë.