Orkestra Simfonike

U formua në vitin 1950 së bashku me Filarmoninë e Shtetit. Në të bënin pjesë orkestrantë të përgatitur fillimisht në gjimnazet dhe shkollat e mesme të përgjithshme. Orkestra Frymore e Ushtrisë dhe më pas në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Aktiviteti i saj artistik ka filluar me koncertet dhe shfaqjet që jepte Filarmonia e Shtetit, dhe në vitin 1953 ajo u bë pjesë e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Gjatë viteve të mëvonshme, ky kolektiv artistik u pasurua me instrumentistë të përgatitur fillimisht në konservatorët e vendeve lindore, si Pragë, Leipsig, Sofje, e më pas nga Konservatori Shtetëror i Tiranës. Orkestra Simfonike e TKOBAP ka dhënë e jep një kontribut të çmuar në interpretimin e krijimtarisë skenike të kompozitorëve tanë dhe atyre botërorë. Dirigjenti i parë i saj ka qenë mjeshtri Mustafa Krantja, dhe më pas Rifat Teqja, Simon Gjoni, Ermir Krantja, Fiqiri Kraja, Bujar Llapaj, Edmond Doko, si dirigjentë të brendshëm të institucionit.

Kjo orkestra ka interpretuar në koncerte dhe shfaqje skenike edhe me dirigjentë, instrumentistë, këngëtarë dhe balerinë të ftuar, nga vendi dhe të huaj, duke marrë edhe vlerësime mjaft pozitive nga personalitete të fushës.

Nga kjo orkestër kanë dalë solistë dhe orkestrantë të talentuar, si dhe ansamble të muzikës së dhomës. Në fondin e çmuar të incizimeve muzikore që disponon fonoteka e Radio Televizionit Shqiptar si dhe mediat private audiovizive, një vend të rëndësishëm zënë pjesët e incizuara dhe filmuara nga orkestra simfonike dhe artistët e TKOBAP. Krahas repertorit të kompozitorëve tanë, si: Zadeja, Zoraqi, Daija, Harapi, Ibrahimi, Dizdari, Peçi, Laro, etj., kjo orkestër ka interpretuar me shumë sukses vepra simfonike të kompozitorëve të mëdhenj botëror si: Mozart, Haydn, Bethoven, Brahms, Dvorak, Hajden, Wagner, Çajkovski, Orff, Strauss, etj., krahas repertorit operistik, koreografik shqiptar e botëror.

Orkestra Simfonike e TKOBAP përbëhet nga rreth 60 instrumentistë. Ajo ka në përbërjen e saj vetëm artistë shqiptarë. Formacioni i saj përmban:

Harqet (V1, V2, Vl, Vlc, Cb), Instrumentet e frymës (picc, Fl1, Fl2, 2 Ob, 2 Cl, 2 Fg, Ingl.corn, 2Tr, 3 Cor, 3 Trb, Bt), Instrumentet e perkusionit dhe Harpë.

 

Kori

Tradita e ansambleve korale në Shqipëri është e vjetër dhe e zhvilluar që në vitet e para të shpalljes së pavarësisë së vendit. Kori i përgjithshëm i shtetit u formua në Priskën e Madhe, Tiranë, në vitin 1944 dhe kishte për organizator dhe drejtues artistik mjeshtrin Kostandin Trako, dirigjenti i parë koral në vendin tonë. Në vitin 1950, kjo trupë artistike u bë pjesë e Filarmonisë së Shtetit dhe në vitin 1953 pjesë e TOB. Kori i përgjithshëm i shtetit, nga kor amator u aftësua duke u kthyer në kor profesionist, i aftë teknikisht për të përballuar dhe interpretuar çdo lloj repertori të të gjitha gjinive korale e më gjerë, të autorëve tanë dhe atyre botërorë.

Kjo trupë korale, krahas aktivitetit të saj specifik, ka dhënë me qindra koncerte si brenda vendit dhe jashtë tij, dhe kudo është pritur mjaft mirë si nga publiku edhe nga media të ndryshme.

Kjo trupë korale përbëhet nga 50 artistë. Repertori i korit të TKOB është i pasur dhe i larmishëm si me vepra skenike, edhe ato koncertore, shqiptare dhe botërore. Një kontribut të çmuar në zhvillimin, përparimin dhe ecurinë e kësaj trupe korale kanë dhënë dirigjentët: Kostandin Trako, dirigjenti i parë i krijimit të korit, si dhe Milto Vako, Rozmari Jorganxhi, e më pas Suzana Turku e Dritan Lumshi.

Solistet Lirike

  1. Irini Nikolla
  2. Ylber Gjini
  3. Marjana Leka
  4. Etleva Golemi
  5. Manjola Konjari
  6. Sonila Baboçi
  7. Vikena Kamenica
  8. Armaldo Kllogjeri
  9. Sidrit Bejleri
  10. Shpresa Beka
  11. Armando Lika
  12. Dorina Selimaj
  13. Eriona Gjyzeli
  14. Ramona Tullumani

Koncertmaester

  1. Lindita Kotorri
  2. Ingrid Pulizo
  3. Ardita Bufaj
  4. Etrita Ibrahimi