Trupa e Baletit

U formua në vitin 1950 së bashku me Filarmoninë Shqiptare, dhe më pas, në vitin 1953 u bë pjesë e Teatrit të Operas dhe Baletit. Ajo u krijua fillimisht nga balerinë të përgatitur në kurset e para të baletit pranë qendrave kulturore për fëmijë dhe vetë Filarmonisë. Më vonë, trupa e baletit u pasurua me solistë të përgatitur në Moskë (B.S), të cilët ishin dhe promotorët e krijimit të shkollës së baletit, fillimisht pranë TOB, dhe më pas si shkollë e veçantë.

Baletmaestrat e parë të kësaj trupe ishin Georgij Perkun (Rusi), Panajot Kanaçi (Artist i Popullit), Agron Aliaj (Artist i Popullit), Skënder Selimi (Profesor) etj. Kontributi i tyre është shumë i çmuar në formimin dhe konsolidimin tekniko-artistik e profesional të kësaj trupe. Nga kjo trupë baleti kanë dalë me dhjetëra solistë të talentuar, që me aktivitetin e tyre skenik kanë shkëlqyer duke interpretuar me sukses në shumë balete kombëtare dhe botërore, si brenda vendit edhe jashtë tij.

Pas vitit 1990, nga kjo trupë janë larguar shumë solistë dhe balerinë të talentuar, të cilët kanë realizuar me mjaft sukses nëpër skena të ndryshme të botës role e kryerole nga balete botërore, kanë shkëlqyer në shumë spektakle koreografike si dhe në shkolla private baleti. Në turnetë e ndërmarra në Kinë, Itali, Turqi, Francë, Greqi, Maqedoni, etj., kjo trupë është pritur mjaft mirë duke korrur suksesin e merituar. Për merita të shquara në fushën e ekzekutimit dhe përhapjes së baletit shqiptar, trupa e baletit dhe solistët e saj janë nderuar me tituj nderi, çmime, medalje të ndryshme nga shteti shqiptar dhe më gjerë

Vitet e fundit, trupa e baletit të TKOBAP ka realizuar në skenë kryevepra të baleteve botërore dhe shqiptare.