Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore (AKKVP) është krijuar si ansambël profesionist në vitin 1957, me të gjithë elementet artistikë dhe teknikë të një trupe të mirëfilltë artistike. Ky ansambël përbëhet nga solistët, grupi i valleve, kompleksi vokal dhe orkestrina.

Aktiviteti i tij artistik qëndron në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë së lashtë e bashkëkohorë, duke përfshirë një pasuri të madhe muzikore, instrumentale e koreografike, të krahinave popullore që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar kështu një harmoni të madhe motivesh.

Folku shqiptar shquhet nga ai i vendeve të tjera për origjinalitetin, lashtësinë si dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Shqipëria ka shumë zona etnografike, ku secila ka veçantitë e saj në kostume, këngë, valle, rite, zakone, doke, të cilat edhe brenda një zone kanë origjinalitete të ndryshme. Ansambli, prej dekadash është kthyer në një laborator për përpunimin dhe ekzekutimin me kërkesa të larta artistike të këtij thesari të madh, që populli ynë e transmeton brez pas brezi. Mbështetja e Ansamblit tek kjo pasuri e madhe burimore, ekspeditat e ndryshme të zhvilluara në të gjitha zonat ku buronte kjo pasuri, bëri që Ansambli ynë të jetë jo vetëm krenaria e kulturës tradicionale shqiptare, por edhe të mahnitë me vlerat e tij studiues e folkloristë nga e gjithë bota.

Kostumet janë ndoshta pasuria më e madhe e këtij ansambli, jo vetëm nga origjinaliteti, por edhe nga larmia e ngjyrave, modeleve dhe ornamenteve. Këto kostume janë vlerësuar si vlera të radha të kulturës tradicionale të një kombi. Repertori muzikor ka qenë një nga elementët më të fuqishëm të tij dhe tepër i suksesshëm, si në muzikë burimore, ashtu edhe në atë të përpunuar. Me vlera të mëdha artistike është edhe orkestra, ku në gjirin e saj ka patur dhe ka instrumentistë nga më të talentuarit. Elementi solistik, pra, këngëtarët e Ansamblit shquhen për zërin e tyre të fuqishëm dhe me ngjyra, por gjithashtu, edhe për individualitete, sipas trevave. Repertori i tyre i spikatur ka bërë që këta këngëtarë të jenë sot krenaria e vokalit shqiptar.

Kori i Ansamblit, me repertorin e tij dhe elementët përbërës, është një kor që rrallë ansamble e kanë sot. Vlerë të madhe këtu kanë këngët e përpunuara me zëra të ndryshëm, që për nga cilësia dhe profesionalizmi janë të paarritshme.

Në ditët tona, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore është një pasuri e trashëgimisë sonë kulturore.