Dy dekadat e para të shekullit XX në Shqipëri karakterizohen nga lëvizje të shumta artistiko-kulturore (aktivitete muziko-teatrale, bandat muzikore, etj.) ku protagonistët kryesorë ishin shoqëritë artistike të përqendruara fillimisht në qytetin e Shkodrës dhe të Korçës, për t’u përhapur më vonë në të gjithë vendin. Ndër aktivitetet e shoqërive artistike në Shkodër numërohen një sërë melodramash të kompozitorëve shqiptar. Në vitin 1908 kompozohet opera e parë shqiptare titulluar “Arbëreshë” nga Lec Kurti, e cila nuk arriti të vihej asnjëherë në skenë.

Në vitet ‘30 merr jetë interpretimi vokal profesionist në vend, ku artistët Jorgjie Truja, Marie Kraja, Tefta Tashko, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, etj., kthehen nga perëndimi dhe nisin aktivitetin e tyre në mbarë vendin duke kënduar pjesë të repertorit tradicional si edhe arie nga kryeveprat operistike botërore si “Peshkatarët e Perlave”, “Traviata”, “Berberi i Serviljes” etj.

Zhvillimet artistike në vend pas Luftës së Dytë Botërore dhe intensifikimi gjithnjë e më shumë i jetës artistike, bënë që në harkun kohor 1944–1956 të merrnin jetë disa nga institucionet më të rëndësishme artistike në vend, si Liceu Artistik “Jordan Misja”, Teatri Popullor, Kori i Përgjithshëm i Shtetit, Kori i Ushtrisë Popullore. Shumë shpejt pranë Korit të Përgjithshëm të Shtetit u mblodhën dhe formacione të tjera artistike, si Orkestra Simfonike, artistët lirikë, etj. Për zhvillimin e artit koreografik u krijua trupa profesioniste e baletit. Të gjithë këto kolektiva formuan Filarmoninë e Shtetit, e cila pati një aktivitet të pasur artistik. Aktiviteti gjithnjë e në rritje, përfshiu pranë Filarmonisë dhe trupën e baletit.

Në Prill të vitit 1953 Filarmonia e Shtetit bashkohet me Teatrin Popullor dhe disa muaj më vonë vendosin në skenë Operën “Rusalka” të Dargomyzhsky-it (1953). Suksesi i këtij realizimi ishte vendimtar dhe zyrtarizoi përpjekjet për themelimin e Teatrit Lirik të Operas dhe Baletit, të cilat u realizuan më 7 Shtator të vitit 1956, kur Këshilli i Ministrave me vendim nr. 376, (dt. 7/IX/1956) vendosi t’i japë jetë Teatrit Lirik të Operas dhe Baletit, si një institucion më vete i rëndësisë kombëtare. Streha e parë e këtij teatri ishte godina e Teatrit Popullor. Më 1958, Teatri Lirik i Operas dhe Baletit u zhvendos në godinën që sot quhet Universiteti i Arteve, deri sa më 1966, përfundimisht, u vendos në qendër të kryeqytetit, aty ku ndodhet edhe sot, në Pallatin e Kulturës.

Teatri Lirik i Operas dhe Baletit, i quajtur sot Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor përbën institucionin më të rëndësishëm në vend që promovon dhe ruan vlerat unike të artit operistik, baletit dhe muzikës folklorike e tradicionale shqiptare. Në historinë e tij, ashtu sikurse dhe i gjithë vendi, TKOB njohu censurën e diktaturës komuniste, ku veprat e mëdha të repertorit operistik botëror u luajtën fare pak duke i lënë vendin krijimtarisë kombëtare, e cila u rrit ndjeshëm. Pas rënies së sistemit totalitar (1992), megjithëse i kishte shpëtuar diktaturës komuniste, TKOBAP do të kalonte krizën e radhës me mungesën e artistëve të cilët po largoheshin nga vendi për një jetë më të mirë.

Në vitet 1992 – 2010, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, pavarësisht tranzicionit ekonomik në të cilin u gjend i gjithë vendi, rigjeti rrugën e tij duke vënë në skenë vepra të repertorit botëror dhe atij kombëtar.