U nda nga jeta, Rexhep Çeliku – “Nderi i Kombit” në moshën 64 vjeçare. Solisti dhe koreografi i Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve në vitet e fundit luftoi me sëmundjen e rëndë. Mjeshtri u shua në shtëpinë e tij në Tiranë, rreth orës 03:30 të mëngjesit të së premtes.

Homazhet në nderim të tij do të mbahen në Muzeun Historik Kombëtar, ditën e shtunë nga ora 11:00-13:00.

Ngushellime familjes, miqve dhe kolegeve te Rexhep Celikut – “Nderit te Kombit”.

Shih në Facebook

Shqiponja fluturuese e valles shqiptare!

“Nderi i Kombit” – Rexhep Çeliku u lind në 19 korrik të vitit 1954 në Tiranë. Biri i një familje gjirokastrite të traditës kombëtare.
Emërohet solist në Ansamblin Popullor të Këngëve dhe valleve në 21 shkurt të vitit 1971dhe rruga artistike e tij do të ishte gjithnjë në rritje.

Me një punë të vazhdueshme, me një përkushtim dhe vullnet shembullor, mbështetur mbi vlerat e trashëgimisë artistike popullore, Rexhep Çeliku prezantoi vlerat e një kërcimtari, që do të pushtonte skenën. Ju besua roli i solistit të parë në Ansambël, duke pasur në krah partneret e mirënjohura Lili Cingu, Lili Këlliçi, Lefta Mullisi, Veronika Mane, Brikena Jaupaj.
Spektatorët e kanë duartrokitur pa rreshtur, teksa ndjenin kënaqësi artistike dhe estetike, veçanërisht në interpretimet e tij tek “Vallja e shqipeve”, “Luftëtarët e lirisë”, “Valle me motive të Dibrës”, “Vallen e Çamërisë”. Vallet me motive korçare, të Tropojës, “Djemtë e fshatit” apo vallen gorarçe, valle me motive të Kukësit, “Dueti i shqipeve”, “Dashuri e zjarrtë cigane”, “Maratonomaku”, “Bilbilenjtë”, “Dasmë tiranase”, etj.

Gjatë turneve dhe konkurimeve të shumta jashtë Shqipërisë, nga media dhe personalitete të ndryshme të artit është cilësuar si valltar me cilësi të larta atistike. Në 17 qershor 2001, Rexhep Çeliku shkëlqeu në maratonën koreografike, “Kërcimtari fluturues”, me koreografi të Agron Aliaj.

Në krijimtarinë e tij artistike, “Nderi i Kombit”, Rexhep Çeliku mishëroi një galeri figurash dhe karakteresh , nga vallet e trevave të ndryshme të Shqipërisë. Lëvizjet burrërore, karakteri i kërcimit fluturak, finesa dhe plastika e zhdërvjellët, plot figura koreografike që sjellin emocione dhe kënaqësi estetike, kanë qenë disa nga motivet që e bënë të dashur figurën e tij tek mbarë shqiptarët, brenda e jashtë kufijve shqiptar. Pjekuria artistike e ndihmoi “Mjeshtrin e Madh” të merrte pjesë në baletet “Bijtë e peshkatarit”, “Shota dhe Azem Galica”.

Ai punoi prej 47 vjetësh në skenë me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke krijuar një repertor shumë të pasur artistik, dhe duke marrë vlerësime të shumta.

Si solist i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore ai ka prezantuar vallen e bukur e madhështore, të hijshme e baritore, vallen epike dhe lirike në mjaft skena të botës dhe numëron në reportorin e tij artistik mijra shfaqje, e role te shumta.

Figura e tij ka frymëzuar valltarët e të gjitha krahinave, duke u kthyer figurë simbol i shqiponjës, atë të kuksianit, të çamit, të rugovarit, dibranit e të labit, të tropojanit, matjanit e myzeqarit, të tiranasit etje.

Përveç punës si solist dhe koreograf i Ansamblit Kombëtar të Këngëve e Valleve Popullore, Rexhep Çeliku ka kontribuar edhe si koreograf në trupat amatore: me grupin e studentëve universitarë, me grupin e Kombinatit të Tekstileve Tiranë, me grupin e Kombinatit “Josif Pashko”, me grupin e nxënësve të shkollave të mesme, me Ansamblin e Strugës, me Ansamblin “Shota” – Prishtinë dhe “Shote Galica” në Drenas. Gjithmonë i palodhur dhe vazhdimisht modest në komunikimin me ata që punonte.

Ka punuar si pedagog në Akademinë e Dancit Shqiptar dhe prej shumë vjetësh drejtoi trupën e Ansamblit Shtetëror.
Rexhep Çeliku krijoi me mjeshtëri një repertor të gjerë vallesh dhe tablosh koreografike si:

“Bilbilejtë”,
“Vaj e mall për Çamërinë”
“Bëni ç`thotë ustai”
“Valle me motive të Shqipërisë së Mesme”
Për aktivitetin e tij artistik dhe atë çfarë ai ka dhënë në skenë është vlerësuar me dekorata, medalje e tituj nderi si:
“Urdhri Naim Frashëri i Klasit të Dytë”
“Urdhri Naim Frashëri i Klasit të Parë”
“Nderi i Qarkut të Tiranës”,
“Qytetar Nderi i Gjirokastrës”
“ Akademik Nderi i Shkencave sociale” dhënë nga Akademia Ndërkombëtare e Shkencave sociale Florida USA.
“Çmimi Nënë Tereza” në Ravena Itali,
“Medalje Ari” si valltar i parë në Itali,
“Simbol i Paqes dhe lirisë”, “Ambasador i Paqes”,
“Mjeshtër i Madh” dhënë nga Presidenti i Republikës për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin.
Urdhri “Nderi i Kombit” dhënë nga Presideniti i Republikës, Ilir Meta.

Shih në Facebook

 

 

Lamtumirë korifeu i skenës, shqiponja e valles shqiptare, “Nderi i Kombit” – Rexhep Celiku.