Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor me artistët e së ardhmes sjell një koncert për publikun. Mbrëmjen e datës 28 korrik në orën 21:00 të mbrëmjes, TKOBAP bën me dije se koncerti do të jetë në sheshin “Skënderbej” për publikun. “Ata tashmë janë gati! Një ansambël frymëzuar nga pasioni dhe energji të reja. Artistët e rinj të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore po ndërtojnë të ardhmen mbi themelet e së shkuarës. Eja bashkohu me ne në 28 korrik ora 21:00 në sheshin “Skënderbej”, shkruan institucioni për këtë koncert që do të vijë për publikun. Për koncertin mbrëmjen e së mërkurës, TKOBAP shprehet se 35 artistë të së ardhmes, këngëtarë dhe valltar të rinj përgatitën premierën e tyre të parë pas 3 muajve masterclass në studiot e Ansamblit Popullor, ku janë zbuluar, trajnuar dhe do të angazhohen në vijimësi. “Së shpejti ata do ti prezantohen publikut me premierën e tyre të parë”, shkruan teatri. Koncerti që do të jetë premierë më 28 korrik vjen në vijim dhe të atyre që janë zhvilluar më parë me artistët e trupave artistike të TKOBAP. Por këtë premierë do të vijë një program muzikor popullor, ku 35 artistë janë trajnuar në studiot e Ansamblit Popullor. Në ditët e muajit korrik, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore u prezantua me një program të pasur në festivalin “Këngë Jeho”. Një festival që bëri bashkë trupa të ndryshme folklorike dhe Ansambli Popullor ishte i ftuar special. Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) është krijuar në vitin 1957, si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i ansamblit është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike.

https://sot.com.al/kultura/artistet-e-rinj-te-ansamblit-popullor-me-nje-koncert-premiere-i454716?fbclid=IwAR0L1jssCteOZ7rpI3L9wKqBswukNBLSD4j_RmUi-INNsmjypo_fS7eupBE