“Humus” është një krijim i ri i krijuesve të rinj, në trupën e baletit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një balet për jetën shkruan teatri, shprehur përmes gjuhës së trupit në instalacione koreografike “të forta” së shpejti. Koreografi Julind Dervishi tregon se si krijues i kësaj pjese baleti, bën një thirrje për një planet të pastër. ““Humus” ndryshe quhet mesazh nga krijuesi. Të gjithë ne jemi krijues në të mirë apo në të keqe. Unë si krijues i kësaj pjese dua të bëj një thirrje për planetin tonë për një planet më të pastër, një trup më të shëndetshëm, dhe një mendje më të kthjellët. Tokës nuk i nevojitemi ne, që të vazhdojmë të ekzistojmë. Po ne kemi nevojë, që toka të ekzistojë”, shprehet koreografi Dervishi. Si koreograf, ai thotë se Toka ka shumë kohë që po kalon në një kolaps. Për krijuesit vazhdon Julind Dervishi është më domethënëse kur kap tema aktuale, se sa të marrësh një libret të ndonjë shkrimtari të madh. “Pasi e bukura e konceptit kontemporan është se ti ia nis çdo gjë nga zero. Ke vetëm vizione në mendjen tënde dhe çdo gjë, që ti realizon e prek vetë i pari”, tregon koreografi, që prej ditësh po punon me artistët për pjesën “Humus”. Në shfaqje janë 23 balerinë, ku veç tyre është dhe vetë koreografi Julind Dervishi. Koreografi tregon se janë 24 karaktere të ndryshme. Për një krijues baleti dhe për një punë të mirë duhet ekip. Në këtë ekip janë dhe Alisa Gjoni, Rovena Shqevi që kanë punuar me balerinët, së bashku me bashkëshorten e koreografit Livia Lara, duke koreografuar idetë e tij.

Muzika dhe pjesa

TKOB bën me dije se krijimi i baletit “Humus” vjen së shpejti për publikun. Por sa i takon pjesës muzikore, koreografi Julind Dervishi thotë se përzgjedhja e muzikës është listuar prej tij. “Më pëlqen shumë që me muzikën të loz pak, duke kaluar nga muzika konteporane, te ajo klasike, deri në muzikë haremi (feste). Po ashtu është dhe “Humus”. Performuesit kërcejnë në një dhe të kuq, simbolikë e gjakut, ku gjithsecili tregon sakrificat, që njerëzit kanë bërë gjithë këto vite”, tregon krijuesi i pjesës Julind Dervishi. Kjo pjesë vjen si produksion i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe koreografi Julind Dervishi shprehet se mezi presin, që “Humus” të prezantohet. “Ndihem i nderuar që më është dhënë kjo mundësi nga TKOB, në një moshë kaq të re të krijosh një pjesë nga hiçi është diçka e madhe. Faleminderit për besimin dhe mezi presim që këtë shfaqje ta prezantojmë para publikut në sezonin e ardhshëm dhe me sallën plot, duke na duartrokitur”, shprehet koreografi. Në reagimin e tij koreografi Julind Dervishi shton më tej se artistët kanë aq shumë dëshirë për tu përballur sërish me publikun, për ti dëgjuar ato duartrokitjet nga salla dhe jo më virtualisht. “Ne kemi punuar edhe në periudhën e pandemisë, organizimi për ti qëndruar pranë publikut nga ana e TKOB nuk ka munguar. Por rifillimi i jetës artistike është pjesa, ku të gjithë ne e presim me padurim”, shprehet Dervishi. Ky krijim që vjen me titullin “Humus” është në vijim të shfaqjeve, që ka sjellë TKOB.

https://sot.com.al/kultura/humus-nje-krijim-i-ri-ne-tkob-balet-per-jeten-shprehur-permes-gjuhes-se–i450588