Koncerti “Klasikët në opera”, me artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit sjell këtë mbrëmje një program të pasur muzikor. Me sonata shkruar nga autorë të njohur botërorë, koncerti do të zhvillohet në sallën e koncerteve “Tonin Harapi”, në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Në kuadër të 250- vjetorit të Beethoven, TOB shprehet se vijon ciklin e koncerteve dedikuar mjeshtrit, këtë herë me krijimet më të bukura edhe të gjigandëve Prokofiev dhe Scriabin, me artisten Herta Cane në piano dhe Jona Çegrani në çelo. “Ju mirëpresin në një mbrëmje klasikësh, me një program pjesësh nga më të bukurat e shkruara ndonjëherë”, pohon teatri. Në lidhje me koncertin, që sonte në mbrëmje përmban sonata nga kompozitorët Ludwig van Beethoven, Sergei Prokofiev, dhe Alexander Scriabin, Teatri i Operës dhe Baletit sqaron se kjo iniciativë artistike, është edhe një mënyrë promovimi dhe nxitje për rritje profesionale individuale, si në çdo sektor, përfshirë edhe atë të harqeve. “Pikësynimi është rritja solistike nëpërmjet muzikës së dhomës, që në këtë rast përfshin dhe mbështet dy elementë të rinj, të cilët sapo i janë bashkuar orkestrës së Teatrit të Operës dhe Baletit. Fillimisht, muzika e dhomës i referohej një lloji të muzikës klasike, që ishte kryer në një hapësirë të vogël të tillë si një shtëpi ose një dhomë pallati. Numri i instrumenteve të përdorur ishte gjithashtu pak, pa një dirigjent për të udhëhequr muzikantët. Gjatë shekullit të 20-të, muzika e dhomës mori forma të reja, duke kombinuar instrumente të ndryshëm, duke përfshirë zërin”, shprehet mes të tjerave Teatri i Operës dhe Baleti për “Klasikët në opera”, duo-muzikë dhome, që sonte do të zhvillohet në sallën “Tonin Harapi”, që deri tani ka mirëpritur dhe artistë të tjerë.

Jeta dhe vepra e kompozitorëve

Beethoven e dha shfaqjen e tij të parë në moshën tetë vjeçare. Veprat e tij më të njohura janë 9 simfoni, 5 koncerte për piano, 32 sonata dhe 16 kuartetet, si dhe muzikë dhome, vepra korale dhe këngë. Megjithëse ai përfundimisht u tërhoq nga interpretimi në piano për shkak të humbjes së dëgjimit, ai vazhdoi të shkruante gjatë gjithë jetës së tij. Beethoven në fakt prodhoi disa nga veprat e tij më të rëndësishme gjatë dekadës së fundit të jetës së tij, kur ai ishte plotësisht i shurdhër. Edhe pa dëgjimin e tij, Beethoven pati një aftësi të përsosur krijimi. Prokofiev është një kompozitor i shquar rus dhe një personalitet me fat unik. Me aftësi të mahnitshme, që hyri në Konservatorin e Shën Peterburgut kur ishte vetëm 13 vjeç. Një njeri që u largua nga revolucioni pas revolucionit, por u kthye në BRSS me nder dhe pa stigmën e një “mbrojtësi”. Një personalitet me një aspiratë të patundshme, të cilin vështirësitë e jetës nuk ia prishën idetë, një artist që quhet “gjeni i vetëm” i shekullit XX, veprat e mahnitshme të të cilit kënaqin dëgjuesit në të gjithë botën. Dashuria për muzikën buroi nga nëna që ishte një pianiste e mirë, që luante shpesh Chopin dhe Beethoven. Në moshën pesë vjeç kompozoi veprën e tij të parë – një shfaqje të vogël “Indian Gallop” për piano. Në total, ai ka pesë koncerte për piano, dy për violinë dhe një për violonçel. Scriabin është kompozitori dhe pianisti rus më i njohur për simfonitë e tij dhe muzikën e pianos, të ndikuar nga misticizmi dhe idetë filozofike. Aleksandër Scriabin hyri në muzikën ruse në fund të viteve 1890. Risia e Scriabin u manifestua si në fushën e melodisë, harmonisë, strukturës, orkestrimit, ashtu edhe në interpretimin specifik të ciklit, dhe në origjinalitetin e ideve. Ai shkroi 3 simfoni, “Poema e ekstazës”, poema “Prometeu” për orkestrën, Koncert për piano dhe orkestër; 10 sonata, poema, kompozime për piano dhe të tjera.

https://sot.com.al/kultura/klasiket-ne-opera-nje-koncert-me-sonata-nga-beethoven-prokofiev-dhe-scri