“Rrjedh në këngë e ligjërime” është koncerti, që i dedikohet krijimtarisë së kompozitorit Feim Ibrahimi, në gjithë gjinitë krijuese të tij. Me dirigjent Ermir Krantjen, mbrëmjen e së enjtes në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse, interpretues të veprave të kompozitorit Feim Ibrahimit do të jenë solistët, orkestra dhe kori i Teatrit të Operës dhe Baletit. Por në këtë koncert premierë në skenë do të jenë dhe të ftuar të tjerë, si aktori Bruno Shllaku apo këngëtarja Kejsi Tola. Një program i pasur muzikor, ku “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967)- ouverturë; finale- poezia Fatos Arapi do të interpretohet nga kori dhe orkestra. “Shembja e idhujve” (1979)- Largimi i mësuesit; “Shkëndij e diellit ndaj Manushaqes”, poezia Naim Frashëri do të interpretohet nga Kejsi Tola dhe orkestra. Në program është dhe poemë vokalo-simfonike për kor, tenor, bariton, zë recitues dhe orkestër “Tan Shqipnia asht betue, pa gjak malet mos me i lshue” (1978)- kushtuar 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ku interpretojnë Armaldo Kllogjeri, Bruno Shllaku, kori dhe orkestra. “Pylli i lirisë” (1976) vjen në skenë Etrita Ibrahimi, e shoqëruar nga orkestra, etj. Në koncertin, që i kushtohet kompozitorit Feim Ibrahimi në mbrëmjen e datës 21 nëntor, përmendim dhe “Balada e Kurbinit” (1990)- Kthimi i Gurgemit; Ndeshja; Varrimi i Kaçorrit; Rrëmbimi i Gurgemit, interpretuar nga Elton Katroshi dhe orkestra, “Xhaketa e kuqe” (1970)- teksti V. Musta vjen me interpretim nga Vikena Kamenica dhe orkestra, “Rrjedh në këngë e ligjërime” (1980) – teksti Gjok Beci vjen e interpretuar nga Armaldo Kllogjeri dhe orkestra, për të vijuar dhe me pjesë të tjera muzikore të kompozitorit të njohur Feim Ibrahimi. Ky koncert sjell në skenë artistë të njohur, por Teatri i Operës dhe Baletit shprehet se është muzikë, që nuk njeh kohë. “E tillë është e gjithë krijimtaria e Feim Ibrahimit, e cila pasohet brez pas brezi në kohë e zëra. Nga Vaçe Zela tek Rame Lahaj e kudo, “himni”- “Rrjedh në këngë e ligjërime” është kolona zanore e çdokujt, në dejet e të cilit rrjedh gjak shqiptar. Eja në koncertin e 21 nëntorit dedikuar krijimtarisë së mjeshtrit Feim Ibrahimi, ndjehu më shumë se kurrë shqiptar”, pohon TOB.

https://55news.al/art-kulture/item/229743-rrjedh-ne-kenge-e-ligjerime-koncert-me-krijimtarine-e-kompozitorit-feim-ibrahimi