“Bridges of culture” titullohet koncerti, që vjen mbrëmjen e sotme për publikun. Në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse mbrëmjen e sotme do të zhvillohet një koncert i dedikuar muzikës shqiptare dhe kroate. Teatri i Operës dhe Baletit shprehet se është i pari koncert simfonik me kompozime të shekullit të XX nga kompozitorë kroatë dhe shqiptarë, me pjesëmarrjen e korit. Për publikun do të luhen vepra nga autorë si Vatroslav Lisinki, Pëllumb Vorpsi, Bruno Bjelinski, Jakov Gotovac, Pjetër Gaçi dhe Nikolla Zoraqi. Koncerti do të dirigjohet nga Alan Bjelinski, i biri i Bruno Bjelinskit një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës kroate, që vjen për herë të parë në Tiranë. E veçanta e koncertit është se përveç pjesëve kroate, në program do të luhen tre pjesë shqiptare. Nga Nikolla Zoraqi do të interpretohet “Uverturë Festive”, Pjetër Gaçi me “Baladë”, ku solist do të jetë Gëzim Bulçari dhe Pëllumb Vorpsi me “Fantazi për Orkestër dhe kor mbi një valle popullore”, të gjitha kompozime, që sipas Teatrit të Operës dhe Baletit nuk luhen në skenën shqiptare prej një kohe të gjatë. Koncerti është një bashkëpunim i TKOBAP me Ambasadën Kroate në vendin tonë. “Bridges of kulture” zhvillohet mbrëmjen e së premtes, ndërsa TOB bën dhe një ftesë për publikun për të ndjekur muzikën e bukur të shekullit të njëzet. “Nëse ende nuk e keni “ndarë mendjen” se ku do të shkoni të premten në mbrëmje, kemi një ftesë për ju. Muzika e bukur e shekullit XX krijuar nga emra të mëdhenj kompozitorësh nga Shqipëria dhe Kroacia, vjen në Qendrën Kulturore “Katedralja Orthodokse””, shprehet Teatri i Operës dhe Baletit. Koncerti, që do të zhvillohet këtë mbrëmje për publikun vjen në vijim të aktiviteteve të artistëve të Teatrit të Operës dhe Baletit. Më herët janë zhvilluar dhe të tjerë koncerte, që janë mirëpritur nga publiku. Por kjo mbrëmje do të sjellë në skenë disa nga pjesët më të njohura të autorëve kroatë, por dhe shqiptarë.

Programi muzikor

Për herë të parë vjen në Shqipëri një program simfonik i shekullit XX, të një prej komponentëve më të rëndësishëm kroat si Bruno Bjelinski. TOB bën me dije se programi është i ndërtuar mbi urën e komunikimit muzikor. “Duke dashur të japim panoramën e dy vendeve të afërta, por me influenca historike totalisht të veçanta, programi është i ndërtuar mbi urën e komunikimit muzikor të tyre të shekullit të kaluar. Ai përfaqëson zhvillimin nga motivi popullor i Jakov Gotovac dhe Pëllumb Vorpsi deri tek Bruno Bjelinski e Nikolla Zoraqi”, thuhet për programin, që do të përmbajë sonte koncerti “Bridges of culture”. Dirigjenti dhe kompozitori Alan Bjelinski u rrit në një familje muzikantësh, të kompozitorit Bruno Bjelinski dhe pianistes Ljerka Pleslic-Bjelinski. Ai dirigjoi thuajse të gjitha simfonitë dhe orkestrën e operës në Kroaci dhe një numër të madh orkestrash të huaja. Një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij ia dedikoi koreve me fëmijë dhe ansambleve vokale në Zagreb, duke qenë pjesë e programeve të edukimit për fëmijë dhe të rritur. Repertori i tij përfshin gjini të ndryshme, pasi bashkëpunimet e tij janë me artistë të muzikës klasike dhe asaj moderne. Alan Bjelinski është nderuar me disa çmime për angazhimet e tij si dirigjent, kompozitor, etj. Me orkestrën simfonike të “Radio Televizionit Kroat”, maestro Bjelinski ka bashkëpunuar në disa programe të ndryshme dhe gjithashtu regjistroi të gjithë krijimtarinë e Bruno Bjelinski, të atit të tij, si pjesë e trashëgimisë kulturore kroate.

https://sot.com.al/kultura/bridges-culture-me-kompozime-te-shekullit-xx-nga-autore-kroate-dhe-shqiptare