Muzikantët e ansamblit shfaqje për pasagjerët

Nuk janë rastësisht në të njëjtin stacion autobusi. Dita e punës për këta muzikantë nisi kështu. Kjo është skena më e pazakontë ku instrumentistët e Ansamblit të Valleve dhe Këngëve kanë interpretuar. Është autobusi i linjës Kombinat-Kinostudio.

Pasagjerët, një pjesë ngurruan të hipnin në autobusin me muzikë. Më të guximshmit shijuan një koncert me muzikë popullore, udhëtim falas dhe në kushtet që duhet të ofrojë çdo ditë shërbimi urban, vende për t’u ulur për të gjithë, autobusi që shkëlqen nga pastërtia dhe ajër i freskët.
Më i surprizuar ishte fatorino. Arsyeja e kësaj shfaqjeje është Qershori, muaji i muzikës. Për t’i respektuar vartësit e saj, në një nga stacionet e linjës Kombinat-Kinostudio hipi edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Dëshira është që artistët të angazhohen vetë, pa nevojën e një kërkese nga drejtuesit e tyre, në sipërmarrje të tilla, të paktën gjatë këtij muaji ku muzika do të jetë kryefjala e do të kulmojë me koncertin e Carla Brunit, në 21 Qershor.

Në teatrin e parkut kombëtar të Butrintit, artistja e njohur italo-franceze, bashkëshortja e ish-Presidentit francez Nicolas Sarkozy, sjell “French Touch”, 11 këngë nga albumi me të njëjtin titull në koncertin e saj të parë në Shqipëri, një ekskluzivitet i Televizionit Klan.

https://tvklan.al/kenge-e-valle-ne-autobusin-e-kombinat-kinostudios/