Baletit “Dhoma 12” erdhi premierë për publikun te “arTurbina”. Premiera e parë e këtij sezoni është realizuar nga dy koreografët Manjola Hasani dhe Esdalin Gorani. Kjo vepër sipas TOB erdhi në skenë për të mbështetur akoma dhe më shumë krijuesit shqiptarë, të cilët kanë realizuar një vepër të zhanrit kontemporan. Për TOB “Dhoma 12” me trupën e baletit në skenë ishte një produkt i plotë skenik, që e riktheu skenën e teatrit në një arenë të artit të vërtetë. “Një produkt i plotë skenik, teknologji e niveleve të larta, ekzekutim dhe prodhim i skenografive, rekuizitës dhe skemave të ndriçimit që e kthejnë skenën e TOB në arenën e artit të vërtetë. Ky prodhim ngre nivelet e ekzekutimi skenik të produksioneve të TOB”, shprehet teatri për këtë premierë baleti.

Një vepër komplekse skenike, ku në rol kryesor ishte Eltion Merja për të vijuar me solistët Ledia Sulaj, Anxhelo Muçollari, Adela Muçollari, Fatjon Lito, Elda Logo, Luixhina Hala, Loreta Bala, Klevi Carkanji, Ledio Agalliu, Odeta Dishnica, Isida Mollaymeri, Amela Prifti. Kjo vepër një premierë absolute e TOB erdhi e realizuar me kostumografi të Ardi Asllanit dhe skenografi të Renold Sulës. Vepra e zhanrit kontemporan është një krijim origjinal i dy koreografëve. Një vepër me elementë të vështirë koreografik dhe me një intensitet të lartë lëvizjesh. Një balet ku baza është lëvizja, por që ndërthurja me elementët e jashtëm skenik, ndriçimin dhe elementet teknologjikë përbëjnë të gjithën. Një formë e veçantë e të ndërtuarit të një vepre, e cila e zhvesh artistin nga rëndësia e kostumeve dhe ai paraqitet ashtu siç është, për të folur vetëm me gjuhën e trupit, veshur vetëm me emocionin e personazhit. Inspiruar nga albumi i pianistit italian Ezio Bosso, e gjithë shfaqja erdhi e ndërtuar në 15 personazhe kryesorë, solistët e veprës. Në qendër qëndron individi rreth të cilit rrotullohet gjithçka, jeta, historitë, hyrjet dhe daljet në dhomat e jetës dhe ndalesa, ose harresa. Çdo dhomë ka ndjesinë, tempin dhe përmbajtjen e saj. Në 12 dhoma luhen 12 ngjarje, emocione, ndjesi, kujtesa, dëshira apo disfata. Në 12 dhoma jetohet për të lënë gjurmë kujtese, nesër nuk e dimë nëse do të na i atribuojnë kur mos të jemi më.