“Grand gala. Të gjithë e duan Agim Krajkën”, me këtë titull manifestiv krijimtaria muzikore e kompozitorit Agim Krajka do të vijë në në dy mbrëmje të veçanta tek qendra multikulturore “ArTurbina”. Plot 140 artistë do të dhurojnë një performancë me veprat më të bukura të mjeshtrit Agim Krajka. Koncertet do të mbahen në datat 7 dhe 8 dhjetor.

Zyra e shtypit të TKOB bën me dije se do të jenë dy mbrëmje të paharruara dhe në skenë do të ngjiten trupa e Ansamblit Popullor, artistët e muzikës së lehtë, si dhe trupa me artistët të këtij institucioni. Prej disa ditësh artistët po përgatiten për të sjellë në skenë perlat muzikore të Agim Krajkës, “Mjeshtër i Madh”. Ata njëzëri shprehen se të gjithë e duan Agim Krajkën, sepse ai ishte kompozitori që ka shkruar për të gjithë këngë, ka krijuar muzikë filmash, muzikë për vepra instrumentale dhe për orkestër.

Edhe pse ka kaluar gati gjysmë shekulli nga krijimtaria e parë e tij, të gjithë I këndojnë me dashuri këngën për gjyshen, këngët për jetën dhe atdheun. Krajka e kapërcente gjithnjë korpusin tematik të diktuar nga dogma komuniste, sepse ai ishte mjeshtër i ndjenjës dhe lirizmit në muzikë.  Për rikthimin madhështor të Agim Krajkës, orkestra e TKOB-it, Ansambli Popullor, bandi Jazz dhe këngëtarë të njohur do të interpretojnë të gjithë repertorin e mjeshtrit të madh.

Janë dhjetëra kompozime të Agim Krajkës që nuk i mungojnë edhe skenave të sotme. Të gjithë e kujtojnë kënga “Lemza” që ai kompozoi për të madhen Vaçe Zela, që ishte edhe kompozimi i parë i Agim Krajkës. Këngët “Djaloshi dhe shiu”, “Kënga e Gjyshes” kanë qenë të kënduara dhe të interpretuara ndër vite e ndër breza. Krajka ka shkruar muzikën e shtatë filmave artistikë, ndërsa me Ansamblin Popullor ka punuar për vite me radhë, duke e shoqëruar edhe në koncerte të mëdha jashtë vendit.

Mbrëmjet koncertore do të jenë nën shoqërinë e Orkestrës së TKOB dhe dirigjentit Edmond Doko.  “Koncerti do të jepet dy ditë live para publikut”, thotë dirigjenti Doko, ku sipas tij nuk do të mungojnë këngëtarët më të mirë shqiptarë si Irma Libohova, Juliana Pasha, e të tjerë. “Zëri brilant i saj njihet menjëherë nga të gjithë, ashtu sikurse edhe vlerat e saj artistike. Ajo është Irma Libohova e cila do të jetë pjesë e Grand Galas. Ajo do të interpretojë këngën “Kur këndoje ti”. Zërit të saj unik do ti bashkëngjitet edhe këngëtaria mjaft e talentuar me një stil të veçantë e tepër karizmatik, Kamela Islamaj, e cila do të performojë këngën “Kafe Flora burra plot”.”, njofton TKOb për këngëtaren Irma Libohova.”E të dy zërat brilantë do të sinkronizohen së bashku në këngën “Të kërkoj””, shkruhet nga institucioni për Juliana Pashën. Kompozitori Agim Krajka sot është 81 vjeç, por vijon të krijojë për zërat më të mirë të muzikës së lehtë shqiptare e më gjerë.