Rikthehet në skenë vepra e parë e huaj, që mjeshtri i koreografisë, Agron Aliaj, vendosi në skenë. Enada Hoxha vendosë të ruajë koncept-idenë që koreografi la në partiturën e tij të shënimeve. Ajo rrëfen variantin e ri të “Zhizel” dhe  punën me Alinë

“Zhizel” vepra e parë botërore që mjeshtri i baletit Agron Aliaj vuri në skenën shqiptare rikthehet në nder të tij. Ky vit do të shënonte 85-vjetorin e lindjes për koreografin, që mundi t’i dhurojë publikut shqiptar emocionet e paimagjinueshme të artit të kërcimit.  Dhe ja, 3 dekada pas vënies në skenë për herë të parë të këtij baleti, trupa e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit e risjell si homazh për “Mjeshtrin e Madh” në 9, 10 dhe 11 nëntor në skenën e ArTurbinës. Është kjo edhe një mënyrë për shpënë përpara amanetin, ëndrrën që  brezi i ardhshëm të çonte baletin përpara… E pohon këtë,  Enada Hoxha, drejtore baleti e TKOB dhe njëkohësisht baletmaestër e “Zhizel”.  Por a do të vijë kësaj here ndryshe kjo pjesë? Enada rrëfen se nuk mund ta imagjinonte “Zhizel” të konceptuar ndryshe, pasi pavarësisht prurjeve moderne që i është bërë kësaj vepre në skenat botërore deri në lakuriqësi, bukuria e saj qëndron pikërisht në elementët e thjeshtë. Kështu që, edhe pse një produksion i ri në skenografi, kostume apo ndriçim, kjo vepër do të realizohet mbi idenë që konceptoi, realizoi dhe la në partiturën e tij të shënimeve mjeshtri Agron Aliaj. Skenografia e realizuar nga Renold Sula, sjell një pamje të qetë të një fshati me natyrë ndjellëse, duke iu përshtatur subjektit dhe duke të dhënë mundësinë për të shijuar baletin, ndërsa përsa i përket kostumografisë, së realizuar nga Ardi Asllani janë avancuar idetë bazike të kostumografit Shaban Hysa, duke e sjellë në kohë. Kjo shfaqje që shënon një gjest vlerësimi ndaj punës së paçmuar që Aliaj i ka lënë skenës shqiptare dhe në vijim të kalendarit artistik 2019 do të pasohet nga të tjera. Enada Hoxha rrëfen më gjatë koreografin dhe njeriun që e udhëhoqi drejt skenës së madhe…

Si është të ecësh në gjurmët e Agron Alisë?

Unë nëse flas për profesorin, emocionohem dhe përlotem nuk i shpëtoj dot. Më mungon shumë edhe është një figurë që unë jam rritur, e që jetoj me të përditë. Unë në çdo moment të punës sime, qoftë kur punoj vetë apo qoftë kur punoj me trupën, unë Kam fjalët e tij. “Enada puno, Enada dua të të shikoj në skenë. Dua të shikoj të rinjtë që vazhdojnë këtë art të bukur”, kështu që unë e kam shumë të fortë mesazhin e tij. Edhe sigurisht që për mua është nder dhe përgjegjësi e madhe që të jem sot të rivendos në skenë “Zhizel”, që ishte vepra e tij e parë botërore që vendosi në skenë, pasi viheshin vetëm vepra shqiptare.  Kështu që nuk është e thjesht, pasi punon me breza të ndryshëm, me kolegë që më kanë shoqëruar për vite, me balerinë të rinj. Ndaj për mua përgjegjësia është komplekse, krahas faktit që më duhet të çoj përpara punën e një koreografi që më ka mbështetur gjithë jetën. Mirëpo kam fatin, që të kem mbështetje nga stafi i përgjithshëm e mandej edhe nga kolegët, të cilët me shumë dashamirësi kanë pranuar prezencën time dhe ndihmën time njëkohësisht.

Përsa i përket përzgjedhjes së kastit për secilën nga netët?

Do të doja të mos gjendesha kurrë në këtë pozicion. Unë jam shumë e drejtë në përzgjedhjet e mia, por duke ditur se çdo balerin dhe çdo artist është shumë i prekshëm nga natyra, kanë problematikat e tyre dhe unë duhet të sillem me ta edhe si koreografe, edhe si kolege, edhe si nënë, pra ndaj një kompleks emocionesh me ta. Nuk është e thjeshtë zgjedhja e tyre, por unë jam fokusuar tek solistët aktual, të cilët kanë një status, si solistë të parë, të dytë etj., mirëpo natyrisht që ka pretendime edhe nga balerinët e tjerë dhe ne kemi qenë të hapur. Ne ndjekim një politikë tonën, ku çdo balerin është i lirë të dalë në audicion dhe të interpretojë rolin për t’u ballafaquar.

I keni mëshuar anës interpretative për përzgjedhjen e tyre apo lëvizjeve?

Të dyjave, sepse nuk është e thjeshtë. “Zhizel” kërkon një pjekuri artistike për të goditur nga ana interpretative, kështu që këto janë një kompleks gjërash dhe unë kam gjetur të mesmen e tyre. Unë akoma vazhdoj të them se është ende herët për të thënë se ka “Zhizel”. “Zhizel” vjen duke u pjekur sa më shumë të kërcehet, aq më tepër arrin ta pasurosh figurën e Zhizel-ës.