Të dashur spektatorë e miq të TKOB, ju uroj me zemër që viti i cili sapo nisi të jetë i mbarë dhe i suksesshëm për të gjithë ju!

Në emër të institucionit të cilin drejtoj, ju falenderoj që na ndoqët përgjatë gjithë vitit 2018, duke realizuar së bashku sfidën më të madhe, rritjen e audiencave operistike anembanë vendit. Viti 2018 ka patur një ndikim të rëndësishëm tek të gjithë ne, artistët dhe stafi i TKOB.

Ditëm jo vetëm të mos humbnim performancat skenike për arsye të mungesës së skenës së teatrit tonë në rikonstruksion, por i shumfishuam ato sepse gjetëm shumë teatro e skena të tjera në mbarë vendin. Shtuam publikun në një shifër tejet të lartë si asnjëherë tjetër, duke këmbëngulur shumë që  me kohën perceptimi i këtij institucioni dhe performanca jonë të evoluojnë nga pozicioni i të qenit elitist, në një institucion të hapur për një publik të gjerë, por edhe duke mos humbur asgjë nga të qenit special, me artistët që do të vazhdojnë të quhen elitë.

Çdo performancë operistike, të cilat i kemi shfaqur gjatë vitit që kaloi, ka qënë një rast i mrekullueshëm për t’ja prezantuar operan edhe atyre që ndoshta e ndiqnin për herë të parë këtë art të kombinimit të jashtëzakonshëm të muzikes, kërcimit, dramës, skenografisë e kostumeve të mjeshtrisë më të lartë artistike dhe të gjitha këto në një performancë. Po ti shtojmë edhe arritjet e virtuozëve të teknologjisë, të gjitha këto sëbashku i kanë dhëne spektatorevë të rinj jo vetë emocione të reja, por edhe eksperiencën më të bukur në historinë e postimeve të tyre në rrjetet sociale.

Teatri i Operas e Baletit është një vend ku çdokush ështe i mirëpritur. Një varietet performacash që gjatë këtij viti i dha 35 talenteve të reja shancin e roleve kryesore, për t’u rritur dhe krijuar karriera artistike. Shumica e shfaqjeve tona transmetohen në televizionet kombëtare. Partneret tanë janë mbi tre të katërtat e operave nacionale të vendeve të Evropës. Asetet tona më të mira janë artistët tanë, dhe spektatorët, ndaj të cilëve jemi borxhlinj pafundësisht. Bashkë me ju e kemi bërë vitin 2018 një sezon të paharruar me 270 evente operistike, baleti, ansambli popullor apo koncerte të ndryshme me femijët dhe brezin e ri, në Tiranë dhe shumë qytete të vendit, dhe 19 koncerte jashtë vendit, Itali, Gjermani, Belgjike, Bullgari, Kroaci etj, një ritëm ky marramendës.

Për ne ky vit ishte viti artistik i Skënderbeut, viti i 60-vjetorit të Ansamblit të Këngëve e Valleve, viti i Mjeshtrave të Mëdhenj, themelues të Teatrit tonë.
Ky vit nuk do të ishte kaq ritmik e i suksesshëm pa kontributin e gjithë stafit të mrekullueshëm të TKOBAP. Falenderoj pa fund të gjithë artistët e TKOB, Orkestrën, Korin, artistët e Baletit, Ansamblit Popullor, stafin e Prodhimit, Marketing-Komunikimit, Administratën, të gjithë ju që me një vullnet tejet pasionant bëtë të mundur që në vitin të cilin sapo mbyllëm të realizonim kalendarin më ritmik e me audiencë më të lartë të viteve të fundit.

Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe përkushtimin tuaj të rëndësishëm gjatë këtyre kohëve sfiduese. Faleminderit dhe gjithë partnerëve të biznesit që udhëtuan me ne, kudo ku ne ishim, në teatrot e sheshet e qyteteve të Shqipërisë duke kontribuar së bashku për ta kthyer Operan në artin e domosdoshëm të çdo shqiptari e veçanërisht të fëmijëve e brezit të ri.

Edhe në këtë vit që sapo nisi, një pjesë e rëndësishme e strategjisë sonë është të tërheqim sa më shumë publik, në mënyrë  të veçantë ata që nuk kanë qënë ndonjëherë në shfaqjet tona, apo që mund të mos e kenë menduar fare se do të vijnë, madje edhe ata të cilët mund të intimidohen nga të tjerët për ardhjen në opera. Është përgjegjësia jonë ta hapim artin tonë në të gjithë shoqërinë.
Në këtë kohë të varësisë nga ekranet e vogla, ka një uri për eksperienca artistike të vërteta dhe të gjalla, dhe këtë e ofrojmë ne, në një mënyrë që askush tjetër nuk mund ta bëjë. Ju ftoj të dashur spektatorë të jeni sa më shumë prezentë në shfaqjet tona, të shijoni të gjitha format e artit tonë, dhe kreativitetin e tij.

Opera, si zhanri më ndërkombëtar i kulturës është arti që na kujton se edhe ne shqiptarët jemi pjesë e traditës së krijimtarisë Evropiane. Për këtë arsye, Opera është  barometër i civilizimit të shoqërisë.

Miqësisht juaja,

Zana Çela.